Në varësi të gjuhëve të ndryshme, mbiemri LOGORECI ka marrë këto forma të shkruara ndër vite:
Logoreseos, Logoretsi, Logorezzi, Loghorezi
Emri i Familjes përmendet që në vitet 1300
Viti 1300Fisi “Logoreseos” përmendet në listën e Dinastisë Anjou në veprën Acta Albaniae Veneta Saeculorum XIV et XV, f. 563. Gjithashtu, fisi “Logoresët” citohet edhe në librin “Serbët dhe Shqiptarët” të autorit Milan von Šufflay. Sipas Šufflay-t, Logoresejt mendohet se kanë banuar në malet Akrokeraune, një pjesë e të cilave sot njihet me emrin Lungarë.
Viti 1721 - 1794
Peshkop Gjon Logorezzi (Logoreci) (John III) Lindi në Shkodër 1721 dhe vdiq në Sapë 21 dhjetor 1794. Peshkop i Pult nga 2 prill 1781 – 26 shtator 1791 dhe Peshkop i Sapë 26 shtator 1791 - në vdekje 1794.
Viti 1737
Arkivi i Kryipeshkvisë Metropolitane Shkodër. Sipas rregjistrit të pagëzimit shkruar nga Imzot Pal Kamsi, në atë kohë meshtar e famullitar i Shkodrës, ndër familjet katolike që banonin në qytet ishte edhe familja Logoreci.
Viti 1830 - 1891
Arqipeshkop Andrea Logorezzi (Logoreci) lindi në Shkodër më 25 tetor 1830 dhe vdiq më 29 dhjetor 1891. Ai ishte një klerik i shquar katolik dhe figurë e rëndësishme kishtare e kohës së tij. U shugurua meshtar (prift) më 7 korrik, 1856. Më 7 janar 1887 u emërua Ndihmës Ipeshkëv në Shkodër. Po atë ditë, më 7 janar 1887, u emërua edhe Ipeshkëv titullar i Juliopolisit (sot në Turqi). Më 15 korrik 1888 u emërua Arqipeshkëv i Shkupit (sot në Maqedoninë e Veriut), detyrë që e mbajti deri në vdekjen e tij më 29 dhjetor 1891. Ai është gjithashtu përkthyes në gjuhën shqipe i veprës “T’mbledhunit e Dotrins Kështênë”, te autorit Andrea Ferrari, botuar në Shkodër nga Shtypshkronja e Kolegjit të Shqipnisë, në vitin 1897.
Viti 1867 - 1988
Mati Logoreci (1867–1941) i nderuar me “Komandar i Urdhrit të Skënderbeut”, "Kavalier i Urdhrit të Kurorës së Italisë" (Cavaliere dell'Ordine della Corona d'Italia) dhe “Mësues i Popullit”. Ishte gjuhetar, arsimtar, publicist dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i njohur për hapjen e shkollës së parë shqipe në Prizren më 1889, për hartimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, për pjesëmarrjen në Komisinë Letrare Shqype (1916–1918) dhe Kongresin e Lushnjës (1920), si dhe për rolin e tij në organizimin fillestar të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë pas themelimit të saj më 10 dhjetor 1920. Matia eshte nipi i Andrea Logorezzi (Logoreci).
Kolë Logoreci (1896–1964) i nderuar me “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Ishte një ekonomist shqiptar dhe funksionar i lartë financiar që luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e administratës financiare shtetërore në vitet e para të shtetit shqiptar. I arsimuar për ekonomi në Vjenë, ai më vonë shërbeu si Shef i Buxhetit të Shtetit gjatë mbretërimit të Mbretit Zog, duke ndihmuar në modernizimin e sistemit buxhetor të Shqipërisë dhe në drejtimin e politikave të investimeve si edhe të përpjekjeve për forcimin e monedhës. Kolë është i biri i Mati Logoreci.
Marie Logoreci (1920–1988) e nderuar me “Nderi i Kombit” dhe “Artiste e Popullit”. Ishte një aktore e shquar shqiptare e teatrit dhe filmit dhe një nga pionieret e kinemasë dhe teatrit shqiptar. Ajo e filloi karrierën si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 dhe më pas u bë një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar, duke interpretuar edhe në filma të rëndësishëm të hershëm, si Skënderbeu (1953). E vlerësuar për kontributin e saj artistik, ajo kujtohet si një figurë ikonike e artit skenik shqiptar. Marie Logoreci ishte bashkëshortja e Kolë Logoreci.